Turistët dhe banorët e Parisit u mahnitën sot nga pamja e urës më të vjetër të kryeqytetit francez, e cila është transformuar në një “shpellë” gjigante falë një vepre spektakolare të artistit të njohur të artit të rrugës, JR.

I quajtur shpesh “Banksy francez”, JR e ka mbuluar urën historike “Pont Neuf” me pëlhurë të pikturuar në nuanca të bardha, gri dhe të zeza, duke krijuar iluzionin e një shpelle shkëmbore gjigante.

Vepra artistike, me gjatësi 120 metra, gjerësi 20 metra dhe lartësi që varion nga 12 deri në 18 metra, tërhoqi menjëherë vëmendjen e qindra vizitorëve përgjatë brigjeve të lumit Seine në një mëngjes me diell pranveror.

Sipas JR, projekti synon të “vendosë përballë ashpërsinë dhe natyrën e egër me elegancën e rafinuar të Parisit, duke krijuar një dialog mes së kaluarës dhe së tashmes”. Ai shtoi se shpella simbolizon njëkohësisht të panjohurën, frikën e hyrjes në një hapësirë misterioze dhe magjepsjen që ajo ushtron mbi njerëzit.

Organizatorët presin një fluks të madh vizitorësh, veçanërisht turistësh të huaj, pasi instalacioni ndodhet pranë disa prej monumenteve më të famshme të qytetit, përfshirë Notre-Dame de Paris.