Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër ndau pamje nga kjo banesë tradicionale, e shpallur Monument Kulture, e cila përfaqëson një nga format karakteristike të banimit në trevat veriore të Shqipërisë.
Me planimetri katërkëndore dhe mure të ndërtuara me gurë, kulla është projektuar për t’i rezistuar kushteve të vështira klimatike dhe për të garantuar qëndrueshmëri ndër breza.
Në arkitekturën tradicionale të veriut, guri harmonizohet me drurin, i përdorur kryesisht në çati, tavane, ndërkate dhe korniza dritaresh. Hapjet e vogla të dritareve janë një tjetër element dallues i këtyre banesave.
Tradicionalisht, kati përdhes shërbente për mbajtjen e kafshëve, ndërsa katet e sipërme përdoreshin nga familja dhe për mikpritjen e mysafirëve. Lidhja mes kateve realizohej përmes shkallëve të brendshme, ndërsa në disa variante gjendeshin edhe shkallë të jashtme.
Përtej funksionit të tyre si banesa, kullat e veriut përfaqësojnë dëshmi të rëndësishme të historisë, traditave dhe mënyrës së jetesës së banorëve ndër shekuj. Ato pasqyrojnë mjeshtërinë e ndërtuesve vendas, përdorimin e materialeve natyrore dhe përshtatjen e arkitekturës me mjedisin malor.
Kulla e Gjelosh Ndokës, në Abat të Shalës, është pjesë e kësaj trashëgimie, që mbart vlera arkitekturore, historike dhe etnografike, duke dëshmuar lidhjen e ngushtë mes banesës tradicionale dhe identitetit kulturor të trevave veriore të Shqipërisë.





