Plani parashikon që “Trump International Golf Club” në West Palm Beach, ku presidenti Trump kalon shpesh fundjavat duke luajtur golf, të shërbejë si një tërheqje zyrtare presidenciale, e ngjashme me “Camp David”.

Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha se qeveria amerikane ka kërkuar të shqyrtohet mundësia e zhvillimit të një rezidence presidenciale në klub, ku presidentët mund të zhvillojnë takime të rëndësishme dhe të përdorin objektet e kompleksit.

Sipas zyrtarit, prona ka disa karakteristika që e bëjnë të përshtatshme për një rezidencë të tillë, përfshirë sigurinë e lartë, afërsinë me aeroportin ndërkombëtar të Donald Trump dhe shërbimet e zbatimit të ligjit, si dhe mungesën e ndërtesave të larta dhe banesave përgjatë fushës së golfit.

Çështja e sigurisë është veçanërisht e rëndësishme pasi në shtator 2024, në këtë kompleks u arrestua Ryan Routh, i cili u shpall fajtor për tentativën për të vrarë Trumpin, atëherë kandidat për president.

Një avokat që përfaqëson klubin e Trumpit u shkroi zyrtarëve lokalë në shtator, duke e krahasuar rezidencën e propozuar me “Camp David”, “Kështjellën Windsor” në Britaninë e Madhe dhe “Pallatin Elyse” në Francë, sipas “Washington Post”.

Presidenti Trump nuk është treguar i prirur të përdorë “Camp David”,  rezidencën presidenciale në kodrat e Marylandit pranë Uashingtonit