Tuesday, February 18, 2025
HomeSPORT-KULTURE-ART84 vite pa Migjenin

84 vite pa Migjenin

Millosh Gjergj Nikolla i njohur me pseudonimin Migjeni, i cili përkujtohet në 84-vjetorin e ndarjes nga jeta, konsiderohet si një ndër shkrimtarët më të lexuar e më të rëndësishëm të shekullit të 20-të. Migjeni lindi në Shkodër, më 13 tetor 1911, në një familje të varfër qytetare. Pasi kreu shkollën fillore në qytetin e lindjes, në vitet 1928-1932 ndoqi mësimet e mesme teologjike në Manastir. Në vitet 1933-1937 punoi si mësues filloreje në Vrakë, Shkodër dhe në Pukë. Kjo është edhe koha kur zhvilloi veprimtarinë e tij letrare. Migjeni kaloi nga një romantizëm revolucionar në realizëm kritik gjatë jetës së tij. Atë e indinjonte së tepërmi hendeku i thellë i pabarazisë midis klasave. Kjo e shtyu të pasqyronte varfërinë e thellë të viteve kur jetoi, dhe duke u dalë zot heronjve të krijimeve të tij si “Bukën tonë të përditshme falna sot”, “Bukuria që vret”, “Mollë e ndalueme”, “Legjenda e misrit”, “A don qymyr zotni ?”, etj. Ai i përkrahte të rinjtë me idenë revolucionare për të ndryshuar vendin. I shtynte të merrnin guximin për të vepruar.

Pasqyrimi i varfërisë së thellë të masave zë vend qendror në të gjitha botimet e Migjenit. Për shkrimtarin kishte rëndësi të madhe shoqërore që të dilte në dritë sa më qartë humnera e vuajtjeve, ku e kishte hedhur popullin regjimi. Heronjtë e veprave të tij më të mira ishin të papunë që rropateshin gjithë ditën për të nxjerrë kafshatën e gojës, malësorë që qëndronin në zgrip të jetës, të mjerë që nuk u kishte ecur në jetë dhe ishin flakur jashtë shoqërisë. Poezia e Migjenit solli në letërsinë shqipe një problematikë të re, jetën e shtresave të varfra të shoqërisë shqiptare, temën e mjerimit e të pasojave të tij morale, përjetimin artistik të domosdoshmërisë së ndryshimit dhe vegimin e një bote tjetër, më të mirë e më të drejtë. Ajo përvijoi tiparet e një humanizmi që flakte mitet, kultet dhe gjithfarë qëndrimesh irracionale e sentimentale. E ashpër (“Trajtat e Mbinjeriut”, “Të lindet njeriu”, “Lagjja e vorfun”) dhe delikate (“Dy buzë”, “Z.B.”, “Një natë” etj.), e hareshme (“Kanga e rinis”, “Ekstaza pranverore”) dhe e trishtuar e tragjike (“Nën flamujt e melankolisë”, “Vetmia”, “Vuejtja”, “Një natë pa gjumë”, “Frymëzim i pafat” etj.), poezia e Migjenit kërkonte dhe gjente mjete të tjera, të gjera e të vrullshme në mundësitë e tyre shprehëse. Fjalori, krejt i hapur në zgjedhjet e veta, vargjet, shpesh të thyera e të lira, që, më shumë se harmoninë formale, synonin figurën e mendimit, të guximshme e të beftë, ritmi dinamik e rimat e brendshme që i nënshtrohen gjithnjë theksimit të mesazhit, e veshën ligjërimin e poezisë së tij, me të gjitha tiparet e vargëzimit modern, që i përpunoi ndryshe aftësitë e fjalës shqipe për t’u renditur artistikisht. Për letërsinë shqipe të viteve ’30, prurje moderne ishin edhe skicat e Migjenit, që kishin si vatërzim tematik tjetërsimin e njeriut (“Sokrat i vuejtun apo derr i kënaqun?”, “Ose…, ose”, “Vetëvrasja e trumcakut”, “Idhujt pa krena”, “Në sezonën e mizave”, “Gogoli” etj.) dhe, në ligjërimin e tyre, dalloheshin prej teknikave të përthithura nga publicistika, dramatikja e eseistikja, prej groteskut dhe ironisë sarkastike, nëntekstit të fuqishëm dhe jashtëzakonisht konciz. Të tilla tipare stilistike shfaqeshin edhe në disa skica të tjera (“Bukuria që vret”, “Moll’ e ndalueme”, “A don qymyr zotni?”,

“Në kishë”, “Luli i vocërr” etj.), të cilat, tek zbulonin qartas simpatitë e thella demokratike të Migjenit, realizonin përmes bërthamash subjektore, konkretësisë së detajeve, ndërrimit dhe ndërhyrjes autoriale, kërkesat e tij për një art që do të ndikonte shpejt në konstitucionin shpirtëror të kohës. Proza rrëfimtare e Migjenit (“Studenti në shtëpi”, “Bukën tonë të përditshme falna sot”; “Historia e njenës nga ato…”, “Të çelen arkapijat”), megjithëse nuk u botua me gjallje të tij, ishte shprehje e drejtpërdrejtë e nevojës që ndjente procesi letrar i kohës për të braktisur vizionet romantiko-sentimentaliste dhe idhujt e vjetruar. Vepra e tij sfidonte në çdo pikëpamje; ajo ishte shprehje e shqetësimeve të mundimshme të jetës shpirtërore shqiptare që ftonin për të përfytyruar një shoqëri njerëzore në të cilën individi, i njohur dhe i kuptuar së fundmi, do të realizohej plotësisht në të gjitha ndërlikimet e tij ekzistenciale. Prozatori dhe poeti u nda nga jeta në moshë të re, më 26 gusht të motit 1938, i sëmurë prej tuberkulozit.https://ata.gov.al/2022/08/26/84-vite-pa-migjenin-e-madh/

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments

WOOFi Finance Leading DEX 2025 on Kosova: Moti – E premte 11 Shkurt
WOOFi Finance Leading DEX 2025 on Parku Kombëtar Bredhi i Hotovës-Dangëlli
WOOFi Finance Leading DEX 2025 on Kosova: Moti – E enjte 17 Shkurt
WOOFi Finance Leading DEX 2025 on MV Moti – E hënë, 21 Shkurt
WOOFi Finance Leading DEX 2025 on Siguro dhe mbro jetën
WOOFi Finance Leading DEX 2025 on MeteoAlb VETEM ne 1 Jave
WOOFi Finance Leading DEX 2025 on Bashkia BERAT
WOOFi Finance Leading DEX 2025 on Shqipëria: Moti – E enjte 17 Shkurt
WOOFi Finance Leading DEX 2025 on Hapësira ajrore
WOOFi Finance Leading DEX 2025 on Bashkia DELVINE
WOOFi Finance Leading DEX 2025 on MV: moti – e mërkurë 16 Shkurt
WOOFi Finance Leading DEX 2025 on Bashkia FINIQ