Saturday, July 27, 2024
HomeSPORT-KULTURE-ARTFestivali Arkeologjik në Tiranë nis me Muzeun e Napolit

Festivali Arkeologjik në Tiranë nis me Muzeun e Napolit

Të shumtë kanë qenë pjesëmarrësit mbrëmë në Muzeun Arkeologjik në Tiranë, për të ndjekur Festivalin Europian të Filmit Arkeologjik, i cili u çel me Muzeun Arkeologjik Kombëtar të Napolit, një nga më të rëndësishmit në botë për arkeologjinë klasike. Pjesë e tij është mozaiku i Aleksandrit, gjetur në Pompei në shekullin e 19-të, po edhe një sërë mitesh të Magna Grecia-s, si miti i Sibilës së Kumës. Të gjitha bashkë nxitin imagjinatën herë me legjendën e herë me paraqitjen vizuale. Ndërkohë sot, festivali vijon me Francën. Dokumentari i Axel Clevenot-së “Në gjurmët e provincialëve të parë” (2013, 52 min.) ndjek udhëtimin në Provence-Alpes-Côte d’Azur. Itinerari i realizuar sipas një ditari udhëtimi, na njeh me popullimin e këtij territori gjatë Prehistorisë. Është gjithashtu një film për historinë e mënyrës së jetesës, përdorimin e lëndëve të para, momentet kyçe ekonomike etj. Është një vështrim i ri në një rajon me një pasuri të habitshme, për të kuptuar më mirë historinë e paraardhësve dhe rrënjët e bashkëkohësve. Festivali Europian i Filmit Arkeologjik, “Arkeovizion”, do të vazhdojë deri më 29 tetor. Tema e këtij viti e quajtur “Kthim në të ardhmen” fokusohet në trashëgiminë arkeologjike. Filmat qe prezantohen do të jenë nga Shqipëria, Bullgaria, Franca, Gjermania, Greqia dhe Italia. “Arkeovizion” nisi si nismë e Institutit Italian të Kulturës dhe Ambasadës Franceze, në partneritet me Institutin e Arkeologjisë (Akademia e Studimeve Albanologjike). Ka gjetur mbështetjen e EUNIC (EU National Institutes for Culture) dhe ka për qëllim t’iu qaset ngjarjeve kulturore që lidhen me vendet dhe historinë, të shpjegojë punën e misioneve arkeologjike; të përmirësojë qasjen virtuale në këtë trashëgimi si për shqiptarët ashtu edhe për të huajt si dhe të trajtojë aspekte edukative dhe ekonomike.https://ata.gov.al/2022/10/25/festivali-arkeologjik-ne-tirane-nis-me-muzeun-e-napolit/

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments