Vikingët i rrëmbejnë parësinë Kristofor Kolombit: prova të reja kanë treguar se një grup “burrash të Veriut” mbërritën në Amerikë të paktën në fillim të shekullit XI, duke krijuar të paktën një koloni të vogël. Këtë e vërtetojnë mbetjet e ndërtesave të lashta prej druri të analizuara në hulumtimin e udhëhequr nga Universiteti holandez i Groningenit dhe i botuar në revistën “Nature”. Për herë të parë është treguar një datë e saktë, 1021, e pranisë së vikingëve në Amerikë, saktësisht 1 000 vjet më parë. Prej disa vitesh dihet se evropianët e parë, të cilët arritën në brigjet amerikane, ishin pothuajse me siguri vikingët, një popull i madh lundërtarësh, të cilët, në fund të mijëvjeçarit, ishin protagonistët e ekspeditave në kufijtë e gjithë botës së njohur të epokës: nga Mesdheu në Detin Kaspik, deri në brigjet më të largëta të Evropës Veriore dhe Groenlandës. Udhëtime që rrëfehen në sagat e shumta të letërsisë norvegjeze dhe që i referohen, gjithashtu, eksplorimit të rajoneve në perëndim të Groenlandës. Duke analizuar një seri mbetjesh druri të punuara pa mëdyshje nga popujt që përdornin hekur (një material i panjohur për amerikanët vendas), studiuesit holandezë tani kanë arritur të datojnë me saktësi koloninë që vërteton praninë e Vikingëve të paktën në vitin 1021. Nuk është ende e qartë, tani për tani, se sa ekspedita kanë mbërritur në brigjet amerikane, vendi i Anse aux Meadows është deri më sot e vetmja mbetje e sigurt e një kolonie vikinge, por besohet se qëndrimi i evropianëve ishte jetëshkurtër, ndoshta disa vite. Në çdo rast, zbulimi është absolutisht një nga provat e para të sigurta të pranisë së vikingëve dhe konfirmon vërtetësinë e shumë elementëve të pranishëm në sagat norvegjeze në këto udhëtime, që tregojnë gjithashtu për marrëdhëniet e vështira me vendasit, për shkëmbimet tregtare mes dy popujve dhe, së fundi, për faktin se këto zbarkime iu treguan edhe figurave të shquara të kontinentit evropian.
Vikingët, të parët që zbuluan Amerikën
RELATED ARTICLES