Ndërsa kërkesa për resortet e njohura po rritet, disa destinacione mesdhetare janë krahasimisht më të përballueshme, shkruan Sarah Turner në një artikull të botuar në të përditshmen britanike “The Times”.

Sipas operatorëve turistikë, është regjistruar një rritje e madhe e kërkesës për pushime në Mesdhe si Itali, Spanjë dhe Greqi.

Pushuesit po rikthehen në destinacionet e njohura, duke preferuar resortet e frekuentuara më parë – ku e dinë se çfarë i pret.

Si bonus, këtë verë në Greqi nuk do të ketë vonesa nga sistemi i ri i kontrollit të hyrje-daljeve (EES).

Megjithatë, nëse shkoni pak më në lindje, kërkesa është dukshëm më e ulët.

Këtë vit, parashikohet të ketë oferta më të mira në Mesdhe, qoftë në Shqipëri – që po fillon të konsolidohet si një destinacion i mirëfilltë turistik – apo në disa nga hotelet e reja që janë hapur në Kroaci ose Mal të Zi.

Mesdheu lindor ofron vende antike, hotele luksoze dhe kuzhinë po aq të shijshme sa vendet klasike mesdhetare, dhe ndërsa superjahtet herë pas here ankorohen këtu, ato nuk janë një pengesë që mund të bllokojnë portet si në Bregun e Amalfit, në Itali.

“Vihet re një tendencë të qartë drejt rezervimeve më të vona, sidomos për udhëtime në qershor, gjë që pasqyron pasigurinë aktuale globale”, tha Chris Wright, drejtori menaxhues i “Sunvil” dhe “GIC The Villa Collection”.

Ndërsa Greqia ka përjetuar një rritje të popullaritetit, pas vendimit për të mos zbatuar kontrollet biometrike EES, ka disa oferta të mira, veçanërisht në Korfuz.