Sipas relacionit teknik, ndërhyrja përfshin një parkim nëntokësor, muze arkeologjik, Kapelën e Nënë Terezës, hapësira shërbimi dhe një shesh publik.

Një nga ndryshimet më të rëndësishme lidhet me qarkullimin. Trafiku që aktualisht kalon në sipërfaqen e sheshit parashikohet të zhvendoset në nivelin e dytë nëntokësor. Aksesi do të realizohet përmes 3 rampave me nga dy korsi: një në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, mes Pallatit të Kongreseve dhe Presidencës, dhe dy të tjera në rrugën “Lek Dukagjini”. Rampat do të lidhen me një unazë nëntokësore qarkullimi, në qendër të së cilës vendoset parkimi.

Parkimi është projektuar në nivelin 7.75 metra nën tokë dhe do të ketë një kapacitet prej rreth 170 vendesh. Prej tij do të sigurohet lidhja edhe me hapësirat e tjera të kompleksit nëntokësor.

Ndërkohë, në nivelin -4 metra parashikohet një shesh i ri publik i zhytur, që do të shërbejë edhe si pikë shpërndarëse drejt funksioneve kulturore dhe publike. Projekti përfshin një hapësirë rreth 500 m² për pritjen dhe hyrjen në muzeun arkeologjik, një kapelë rreth 700 m² kushtuar Nënë Terezës, si dhe një bar-restorant prej rreth 340 m².

Sipas dokumentacionit teknik, synimi është që funksionet e reja të zhvillohen kryesisht nëntokë, duke kufizuar volumet e reja mbi sipërfaqe dhe duke ruajtur karakterin monumental dhe marrëdhënien vizuale të sheshit me ndërtesat historike përreth.