Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastriot Skënderbeu” është një nga muzetë më të vizituar në Shqipëri. Vendosur në brendësi të rrënojave të kalasë shekullore të Krujës, muzeu u hap më 1982. Ndërtesa është e konceptuar si një fortesë e një kështjelle mesjetare shqiptare me një fokus kryesor në dokumentimin e jetës dhe veprës së Gjergj Kastriot Skënderbeut, heroit kombëtar të vendit.
Muzeu Etnografik i Krujës ka një total prej 15 dhomash, secila me funksionin, kompozicionin dhe simbolikën socio-etnografike përkatëse. Shumë vizitorë, vendas dhe të huaj, e vizitojnë Muzeun Etnografik si një pjesë të rëndësishme të turit të tyre në qytetin historik të Krujës.
Kruja njihet për turizmin historik njëditor, por me shtimin e strukturave akomoduese turistët po qëndrojnë më gjatë në këtë qytet historik. Pazari karakteristik i Krujës me rrugicat e ngushta me kalldrëm, ku ofrohen punime artizanale tradicionale është një ndër të preferuarit e turistëve. Por turistët nuk ikin nga Kruja pa vizituar edhe Muzeun Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” dhe Muzeun Etnografik Krujë.





