Sipas DPD-së, për të kryer zhdoganimin e një automjeti, individët duhet fillimisht të regjistrojnë të dhënat e tyre personale në sistemin elektronik ASYCUDA World. Ky regjistrim realizohet pranë administratës doganore, duke paraqitur kartën e identitetit.

Autoritetet sqarojnë se automjetet me targa të huaja mund të përdoren përkohësisht në territorin shqiptar për një periudhë deri në 6 muaj brenda një viti. Gjatë kësaj kohe, këto mjete nuk duhet të përdoren për qëllime tregtare dhe nuk lejohet ndryshimi i pronësisë së tyre.

Në lidhje me detyrimet financiare, administrata thekson se pagesa kryesore është Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), i cili llogaritet mbi vlerën doganore të automjetit. Kjo vlerë përfshin çmimin e blerjes së mjetit, si dhe çdo rregullim tjetër të parashikuar nga legjislacioni përkatës.

Po ashtu, vihet theksi tek respektimi i afateve dhe procedurave doganore, të cilat janë të detyrueshme për të gjithë qytetarët. Në rast shkeljesh, parashikohen masa ndëshkuese, përfshirë penalitete financiare që mund të arrijnë deri në 75% të detyrimeve të papaguara.

Administrata doganore u bën thirrje qytetarëve të informohen dhe të respektojnë rregullat në fuqi, për të shmangur penalitetet dhe për të garantuar një proces të rregullt të zhdoganimit.