Objekti i këtij vendimi është krijimi i medaljeve, shenjave dhe distinktivëve të veçantë të nderit, që i jepen personelit ushtarak dhe civil, që shërben në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, si dhe për ushtarakët e huaj që shquhen për merita e kontribute të veçanta për Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, si dhe kriteret, procedurat dhe autoritetet përgjegjëse për dhënien e tyre.

Qëllimi i skemës së re është vlerësimi i shërbimit, profesionalizmit, përkushtimit dhe kontributit të personelit ushtarak e civil, si dhe i ushtarakëve të huaj që kanë kontribuar në interes të Forcave të Armatosura dhe sigurisë së vendit.

Vendimi parashikon një sërë medaljesh, ndër të cilat “Medalja e vlerave të larta”, e cila do t’u jepet personave që kanë dhënë kontribut të veçantë, kanë treguar profesionalizëm të lartë, integritet dhe kanë ofruar mbështetje e bashkëpunim të çmuar në interes të mbrojtjes dhe sigurisë së Shqipërisë.

Një tjetër vlerësim është medalja “Për Shërbime të Dalluara”, për ushtarakët aktivë dhe personelin civil që kanë shfaqur merita dhe arritje të spikatura në përmbushjen e detyrave dhe në rritjen e efektivitetit e prestigjit të Forcave të Armatosura.

Në listën e medaljeve përfshihet edhe “Medalja e nderit të Forcave të Armatosura”, ndërsa për akte të veçanta guximi dhe humanizmi parashikohet medalja “Shpëtimtari”. Kjo e fundit do t’u jepet personave që kanë kontribuar drejtpërdrejt në shpëtimin e jetës së qytetarëve në situata emergjente ose me rrezikshmëri të lartë.

Vlerësim i veçantë parashikohet edhe për ushtarakët e plagosur apo të gjymtuar gjatë luftës, operacioneve ose shërbimit zyrtar.

Një kategori tjetër është “Medalja e vlerësimit në shërbim”, e cila do të jepet për çdo 10 vite shërbimi të gjatë, të pandërprerë dhe shembullor në Forcat e Armatosura.

Vendimi përcakton gjithashtu medalje të posaçme për strukturat e Forcave të Armatosura, si “Nderi i Forcës Tokësore”, “Nderi i Forcës Detare”, “Nderi i Forcës Ajrore”, “Nderi i Komandës Mbështetëse”, “Nderi i Komandës Kibernetike dhe Ndërlidhjes” dhe “Nderi i Akademisë së Forcave të Armatosura”.

Rregullat e reja parashikojnë edhe distinktivë për ushtarakët që dallohen në gara dhe aktivitete kombëtare apo ndërkombëtare.

Ndër to janë distinktivi “Nënoficeri i vitit”, “Ushtari/Detari i vitit”, “Qitës i Dalluar”, “Studenti/Kursanti i vitit” dhe “Sportist i vitit”.

Distinktivi “Qitës i Dalluar”, do t’i jepet personelit që demonstron aftësi të shkëlqyera në përdorimin e armëve dhe rezultate të larta e të qëndrueshme në garat kombëtare apo ndërkombëtare të qitjes.

Vendimi krijon gjithashtu një sistem shenjash që identifikojnë kualifikime dhe specializime të veçanta të personelit ushtarak.

Në këtë kategori përfshihen shenjat “Operator Special”, “Komando”, “Snajperist”, “Parashutist”, “Shenja e pilotit”, “Pilot i nivelit të lartë”, “Piloti ekspert”, “Teknik fluturimi”, si dhe “Specialist i Asgjësimit të Municioneve Shpërthyese”.

Po ashtu parashikohen shenja për marinarët dhe zhytësit, përfshirë “Shenja e Zhytësit”, “Shenja e zhytësit special” dhe “Shenja e Zhytësit të operacioneve speciale”.

Në kuadër të specializimeve të reja përfshihen edhe “Shenja e ekspertit në fushën kibernetike”, “Shenja e Shërbimit Mjekësor Ushtarak” dhe “Shenja e titullit akademik”.

Vendimi përcakton gjithashtu edhe autoritetet që kanë kompetencë për dhënien e medaljeve dhe shenjave.

Ministri i Mbrojtjes do të japë “Medaljen e vlerave të larta” dhe medaljen “Për Shërbime të Dalluara”.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm do të ketë kompetencë për një pjesë të rëndësishme të medaljeve, përfshirë “Medaljen e nderit të Forcave të Armatosura”, “Shpëtimtarin”, medaljet për të plagosurit dhe të gjymtuarit, si dhe disa distinktivë të veçantë.

Rregullat e reja përcaktojnë edhe procedurat për dekorimin e ushtarakëve të huaj.

“Medalja e vlerave të larta” për ushtarakët e huaj do të jepet nga ministri i Mbrojtjes, ndërsa “Medalja e nderit të Forcave të Armatosura” do të jepet nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm.

Propozimet mund të vijnë nga drejtuesit e lartë të Forcave të Armatosura, strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes, Drejtoria e Përgjithshme e Politikave të Mbrojtjes apo përfaqësuesit ushtarakë shqiptarë jashtë vendit.