Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se pezullimi i vendimit për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës do ta vriste dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Osmani nënvizoi se nëse merret një ndëshkim i tillë për popullin e Kosovës nuk do të ketë mandat askush më që të shkojë në Bruksel për dialog. Megjithatë, Osmani tha se nuk beson se do të pezullohet vendimi për heqjen e regjimit të vizave, teksa theksoi se Kosova e ka merituar liberalizimin e vizave që pritet të ndodh më 1 janar 2024. “Unë do të thosha që kjo është mënyra më efektive për ta vrarë dialogun një herë e përgjithmonë. Në qoftë se dëshiron dikush që të mos ketë më dialog, atëherë ndërmerr masa të tilla, që janë masa ndëshkuese ndaj popullit të Kosovës. Nuk janë ndaj ndonjë lideri, nuk janë ndaj një politike, janë ndaj popullit të Kosovës. Dhe një ndëshkim i tillë i paprecedentë, që edhe ashtu ka qenë padrejtësi e madhe për popullin e Kosovës, do të rezultojë me vdekjen e dialogut. Nuk ka më askush mandat në Kosovë që të shkojë në Bruksel, kur populli i Kosovës ndëshkohet. Besoj shumë se as nuk do të vijë deri tek ajo punë, Kosova i ka plotësuar dhe stërplotësuar kriteret”, tha Osmani. Këtë deklaratë Osmani e bëri pas homazheve pranë përmendores dedikuar personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës, pasi u pyet për qëndrimit të presidentit francez, Emmanuel Macron, i cili ka thënë më 28 gusht se vendi i tij do t’i rishikojë zotimet që i ka bërë për çështje ekonomike dhe politika të vizave për Kosovën dhe Serbinë, nëse ato nuk sillen me përgjegjësi. Krahas kësaj, Osmani tha se pret që pas takimeve të shtatorit në dialog të largohen masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës. “Dakordimi i Kosovës me Bashkimin Evropian ka qenë që obligimet që dalin nga marrëveshja e Bratislavës do të jenë të mjaftueshme në mënyrë që të hiqen masat. Kjo nënkupton krijimin e bazës ligjore për mbajtjen e bazës ligjore për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Kjo do të jetë gati pasnesër më 1 shtator. E dyta kërkohet që të bëhet deeskalimi përmes reduktimit gradual të policisë, kjo e cila ka ndodhur. E treta kërkohet konsturktivitet në dialog dhe zbatim të marrëveshje, kjo që do të vijojë të ndodh përgjatë takimeve që pritet të mbahen në shtator e tutje edhe në nivel të kryeministrit dhe kryenegociatorëve. Unë pres që gjatë shtatorit, pas këtij takimi ku Kosova sërish do të ketë qëndrim konstruktiv sikurse gjithmonë, BE-ja do të konstatojë se janë plotësuar kërkesat e veta sa i përket deeskalimit dhe do të plotësohen të gjitha kushtet sa i përket heqjes së masave të cilat edh ashtu kanë qenë të padrejta dhe jo proporcionale në raport me Kosovën”, shtoi ajo.
Osmani: Pezullimi i vizave do ta vriste dialogun
RELATED ARTICLES