Referuar Vrojtimit të Besimit të Biznesit dhe të Konsumatorit, të publikuar sot nga Banka Qendrore, treguesi i ndjesisë ekonomike qëndron 7,8 pikë përqindje mbi mesataren historike. Përmirësimi i muajit u mbështet kryesisht nga rritja e besimit në sektorin e ndërtimit dhe nga forcimi i besimit konsumator.

Besimi i bizneseve të ndërtimit u rrit me 6,6 pikë përqindje, duke e çuar treguesin 18 pikë përqindje mbi mesataren afatgjatë. Përmirësimi u përcaktua nga vlerësimet më pozitive për aktivitetin aktual ndërtues dhe kontratat porositëse.

Rritje shënoi edhe besimi i konsumatorëve. Treguesi përkatës u rrit me rreth 2,3 pikë përqindjeje dhe rezulton rreth 5 pikë përqindjeje mbi mesataren historike.

Konsumatorët kanë vlerësuar më pozitivisht situatën e tyre financiare dhe situatën ekonomike të vendit në të ardhmen. Në rritje kanë qenë edhe vlerësimet për blerjet aktuale dhe të ardhshme për shuma të mëdha, ndërsa pritjet për nivelin e përgjithshëm të çmimeve në të ardhmen janë rishikuar në rënie.

Në sektorët e tjerë të biznesit, treguesit e besimit shënuan rënie gjatë shtatorit. Besimi në industri u ul me 3,8 pikë përqindje, në shërbime me 2,4 pikë përqindje dhe në tregti me 1,8 pikë përqindje.