Të dhënat e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) tregojnë se humbjet totale kanë ardhur në rënie të vazhdueshme, nga 18,93% në vitin 2023, në 17,93% në 2024 dhe 16,96% në vitin 2025. Në tetë muajt e parë të këtij viti, treguesi është ulur me rreth 3,3 pikë përqindje në raport me vitin 2023.

Përmirësimi është evident edhe në nivelin e drejtorive rajonale. Në total, humbjet në rrjetin e shpërndarjes u reduktuan në 14,51%, nga 15,94% në vitin 2025.

Të dhënat tregojnë se rënia e humbjeve është shtrirë në pjesën më të madhe të rajoneve. Fieri regjistroi normën më të ulët në tetëmujor, me 9,5%, ndërsa Korça dhe Tirana pasuan përkatësisht me 9,63% dhe 9,85%.

Në Tiranë, humbjet zbritën nën nivelin 10%, nga 10,31% në vitin 2025, ndërsa në Durrës u regjistrua një normë prej 14,78%. Në Gjirokastër dhe Vlorë niveli ishte 14,65%, në Berat 12,29% dhe në Elbasan 10,99%.

Ulja e humbjeve është evidentuar edhe në rajonet ku ky tregues mbetet më i lartë. Në Kukës, humbjet ranë në 34,9%, nga 40,88% në vitin 2025 dhe 42,42% në vitin 2024. Në Shkodër treguesi zbriti në 29,06%, nga 31,29% një vit më parë, ndërsa në Burrel në 22,56%, nga 24,21%.

Sipas OSSH-së, tendenca e përmirësimit pritet të vijojë edhe në muajt e mbetur të vitit. Kompania parashikon që 2026-a të mbyllet me humbje në rrjetin e shpërndarjes rreth 15,9%.

Rënia e humbjeve konsiderohet një tregues i rëndësishëm i eficiencës së rrjetit dhe i performancës së sistemit të shpërndarjes së energjisë elektrike.