Grykëderdhja e lumit të Shalës në liqenin e Komanit vitet e fundit është kthyer në një nga destinacionet më tërheqëse të Alpeve shqiptare.
Vizitorët mund të shijojnë eksplorimin e zonës me varkë, ngjitjen në majat përreth me pamje spektakolare, si dhe zhytjen në ujin e freskët të lumit të Shalës.
Lumi i Shalës buron rrëzë Alpeve dhe ka një gjatësi prej 37 km prej burimit në majën e Radohinës e deri në Drin. Ai dallohet për ujin e tij të veçantë ngjyrë blu të thellë.
Lumi i Shalës është i pasur me një shumëllojshmëri peshqish, por më e përhapura është trofta, që rritet vetëm në ujërat e ëmbla. Ngjyra e kaltër dhe e ftohtë e ujit është karakteristike e këtij lumi, ndërsa shkëmbinjtë e thepisur që e rrethojnë, duken sikur prekin qiellin.





