Këshilli Bashkiak i Shkodrës ka miratuar sot rialokimin e buxhetit me 1 milion euro, duke bërë të mundur shtimin e investimeve në ndërtimin e shkollës në fshatin Guci e Re, por edhe për të përmirësuar ndjeshëm kushtet e punës për stafin e bashkisë dhe pajisjeve, që do të përdoren për të ofruar shërbime më të mira për qytetarët. Kryetari i bashkisë së Shkodrës, Benet Beci tha se “ndërmarrja e shërbimeve publike që ne po krijojmë është risi pasi deri tani çdo shërbim publik në bashki ka qenë i kontraktuar nga kompani private. Kam besim se do të krijojmë një model të suksesshëm që do të jetë më pranë qytetarëve duke synuar shërbimin në çdo ditë të vitit, kudo ata ndodhen”. Në kuadër të forcimit të kontrollit mbi territorin, Beci theksoi se “po ndërtojmë një plan të qartë për përmirësimin e ndjeshëm cilësor e sasior të Policisë Bashkiake”. “Vendimi ynë për të blerë makina e biçikleta elektrike nuk synon vetëm përmirësimin e kushteve të punës për shërbim më të mirë ndaj qytetarëve, por edhe i përgjigjet tërësisht vizionit tonë për Shkodrën e pastër e miqësore me mjedisin”, shtoi Beci. Kryebashkiaku Beci u shpreh se “sot të gjithë kemi rënë dakord që niveli i pagave në bashki ka penguar marrjen e specialistëve më të mirë e ka zbehur ndjeshëm jo vetëm performancën, por edhe dinjitetin e tyre”. Ndaj, vijoi Beci, duke miratuar nivelin e ri të pagave, kemi bërë hapin e parë në rrugën për ta forcuar stafin e bashkisë e për t’u krijuar atyre një hapësirë të denjë ku duhet të kontribuojnë. Nga ana tjetër, tha Beci, po sot aprovuam shtesën që qeveria shqiptare na ka akorduar për buxhetin e vitit 2023, në vlerën e 600.000 eurove. Sipas tij, ky fond do të përdoret për hartimin e projekteve për investime madhore në bashki. “Është hera e parë që do të bëjmë kontrata kuadër për projektime, të cilët do të aksesojnë investimet e qeverisë dhe donatorëve. Jemi krejt të qartë që cilësia e projekteve që harton bashkia duhet të jetë shumë më e mirë e konkurruese, e në 3 vitet në vijim do të punojmë fort edhe në këtë drejtim”, tha Beci. Kryebashkiaku Beci falënderoi këshilltarët për frymën bashkëpunuese dhe përcjelljen në këshill të shqetësimeve të komunitetit.
Rialokim i buxhetit të bashkisë Shkodër me 1 milion euro
RELATED ARTICLES