Vendimi përcakton se ASHK-ja mund të kalojë në pronësi sipërfaqe funksionale deri në 300 metra katrorë, kur ajo posedohet efektivisht në terren dhe kjo vërtetohet përmes rrethimit. Për sipërfaqet në pronësi shtetërore, me pronar të pavërtetuar ose kur nuk ka informacion për pronësinë, miratimi i dokumentit të pronësisë deri në 300 metra katrorë bëhet pa pagesë.
Kur trualli rezulton në pronësi private të të tretëve, përfituesi duhet të paguajë vlerën e truallit, e cila llogaritet sipas çmimit favorizues dhe me lehtësitë e parashikuara nga legjislacioni për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë.
Rregulla të ngjashme përcaktohen edhe për oborret në përdorim deri në 300 metra katrorë, duke parashikuar kalimin në pronësi pa pagesë kur trualli është shtetëror, me pronar të pavërtetuar ose kur nuk ka informacion për pronësinë.
Një tjetër ndryshim parashikon publikimin nga ASHK-ja të rasteve kur, gjatë verifikimit në terren, nuk është identifikuar subjekti posedues. Njoftimi publikohet për 30 ditë në njësinë administrative, në drejtorinë vendore të ASHK-së dhe në faqen zyrtare të institucionit.
Nëse gjatë kësaj periudhe paraqitet subjekti pretendues, ASHK-ja vijon procedurat administrative në emër të subjektit për të cilin evidentohet posedimi në terren. Pas përfundimit të afatit 30-ditor, subjekti mund të paraqesë kërkesë përmes “e-Albania”, sipas procedurave të përcaktuara në vendim.





