Në shtator nis sezoni i dytë i Javëve Kulturore Ndërkombëtare. Katër shtetet e para që do të rihapin sezonin e Javëve Kulturore do të jenë: Britania nga (1 deri në 11 shtator, Suedia (12-18 shtator), Egjipti (19-25 shtator) dhe Kina (26 shtator – 2 tetor). Gjatë muajit shtator e në vijim do të spikasin ndër të tjera, koncerte me muzikë klasike dhe moderne egjiptiane, performanca folklorike egjiptiane, festivali i kulturës kineze, performanca Taiji, ceremonia e çajit dhe ushqimit kinez, loja tradicionale cricket, koncerti i ABBA Tribute, si dhe koncerti i shumëpritur i këngëtares shqiptare, të njohur ndërkombëtarisht Rita Ora. Muajt e verës, projekti pati një ndërprerje. Java e fundit e organizuar ishte ajo e kulturës turke, në përfundim të së cilës pati një koncert nga violinist virtuoz, me origjinë shqiptare Elvin Hoxha Ganiyev. Javët Kulturore Ndërkombëtare 2022 është një nismë e Ministrisë së Kulturës që sjell në Shqipëri tingujt, imazhet, aromat dhe shijet e 18 vendeve të botës. E konceptuar si një paradë kulturore ndërkombëtare, dedikuar bashkëpunimit kulturor, ky program dinamik e gjithëpërfshirës, do të krijojë një atmosferë të jashtëzakonshme e do të shpërndajë mesazhe paqeje dhe pranimi.
Rikthehen Javët Kulturore Ndërkombëtare
RELATED ARTICLES