Shqipëria do të mirëpresë në datat 20–24 maj Kampionatin Europian të Minifutbollit, një ngjarje që do të zhvillohet në kryeqytet, me pjesëmarrjen e 25 shteteve nga e gjithë Europa.

Kampionati organizohet nga Socca Albania, duke sjellë në Tiranë përfaqësuese nga 25 vende, çka e kthen këtë event në një nga aktivitetet më të mëdha të mini-futbollit të zhvilluara ndonjëherë në Shqipëri.

Nën moton “Tirana – Shtëpia e Futbollit”, aktiviteti pritet të krijojë një atmosferë festive përgjatë pesë ditëve të garës, duke kontribuar në rritjen e fluksit të vizitorëve dhe në promovimin e vendit si destinacion sportiv dhe turistik.

Organizimi i këtij kampionati konsiderohet një tjetër hap në forcimin e profilit ndërkombëtar të Shqipërisë si vend mikpritës i eventeve sportive me përmasa europiane.