Kryeqyteti shqiptar është përfshirë mes 10 destinacioneve evropiane që mund të vizitohen në tetor, me një buxhet prej më pak se 500 euro, falë kombinimit të fluturimeve me kosto të ulët, çmimeve të përballueshme të akomodimit dhe klimës së favorshme gjatë kësaj periudhe.
Tetori ofron mundësi të favorshme për udhëtime me kosto të përballueshme, me një buxhet nën 500 euro.
Pas përfundimit të sezonit të lartë turistik, çmimet e fluturimeve dhe të akomodimit priren të jenë më të ulëta, ndërsa në shumë destinacione evropiane temperaturat mbeten të ngrohta.
Për ata që kërkojnë një udhëtim ekonomik në vjeshtë, tetori konsiderohet një nga periudhat më të përshtatshme për të udhëtuar me një buxhet të kufizuar.
Me fluturime me kosto ekonomike nga qytete si Milano, vizitorët mund të zgjedhin edhe destinacione më pak të frekuentuara nga turistët, ku çmimet e hoteleve mbeten relativisht të përballueshme.
Sipas artikullit, një udhëtim i tillë mund të organizohet duke llogaritur një biletë vajtje-ardhje deri në 150 euro dhe një qëndrim prej tri netësh.
Zgjedhja e akomodimeve me vendndodhje të përshtatshme, pa qenë e nevojshme të qëndrohet në hotele luksoze, mundëson që shpenzimet totale në shumë raste, të mbeten nën kufirin e 500 eurove.
Mes 10 destinacioneve të përfshira në këtë listë janë Malaga në Spanjë, Tirana në Shqipëri, Sofja në Bullgari, Shkupi në Maqedoninë e Veriut, Sarajeva në Bosnjë-Hercegovinë, Bukureshti në Rumani, Krakova në Poloni, Kaunasi në Lituani, Porto në Portugali dhe Bratislava në Sllovaki.





