Shqipëria është një vend ende pak i eksploruar nga turistët, pavarësisht pozicionit të privilegjuar dhe bukurisë së brigjeve të saj, shkruan Rossana Brambilla në të përditshmen italiane “Tempo Italia”. Me nje vijë bregdetare prej 363 kilometrash, me pamje nga deti Adriatik dhe Jon, Shqipëria ofron peizazhe mahnitëse dhe plazhe të pacenuara.
Ndërsa vendet fqinje si Greqia, Mali i Zi dhe Kroacia janë tashmë destinacione të konsoliduara për pushime verore, Shqipëria mbetet një perlë e fshehur, gati për t’u zbuluar.
Shqipëria, një vend ende pak i eksploruar nga turizmi masiv, fsheh perla të vërteta natyrore përgjatë brigjeve të saj. Në veçanti, Joni shquhet për ujërat dhe peizazhet e tij të kristalta që mund të ngatërrohen lehtësisht me ato të Karaibeve.
Natyra e pakontaminuar ofron pamje të një kartoline, me gjire të fshehura, male të harlisur me pamje nga plazhet me rërë të imët dhe guralecë, si dhe shkëmbinj që zhyten në ujërat blu të detit. Shtrirja e bregdetit nga Vlora në Sarandë, duke kaluar nga Parku Kombëtar i Qafës së Llogarajës, është një parajsë e vërtetë mbi tokë.
Këtu, adhuruesit e ecjes dhe zhytjes mund të eksplorojnë shpella të shumta detare dhe të shijojnë biodiversitetin e pasur nënujor. Plazhet që ia vlen të vizitohen përgjatë bregdetit të Jonit janë të shumta dhe të larmishme, duke përfshirë Dhërmiun, Jalën, Himarën, Qeparon, Borshin, Sarandën dhe Ksamilin, secili prej tyre me karakteristika unike dhe magjepsëse.
