Ministri i Financave theksoi faktin se strategjia nuk parashikon ndryshim të normave tatimore dhe garanton stabilitet fiskal për tatimpaguesit, ndërsa ka si objektiv kryesor rritjen e nivelit të mbledhjes së të ardhurave, nëpërmjet miradministrimit fiskal.
“Nëpërmjet kësaj strategjie ne parashikojmë rritjen e të ardhurave me rreth 65 miliardë lekë deri në fund të vitit 2027 ose 2.5 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto krahasuar me vitin 2019, ku peshën kryesore e kanë masat që do të merren nëpërmjet miradministrimit tatimor dhe doganor”, u shpreh Malaj.
Në vijim, ministri vuri në dukje se draft strategjia ka tre shtylla kryesore, një prej të cilave lidhet me rishikimin e politikës tatimore, me fokus në rishikimin e përjashtimeve apo normave të reduktuara të tatimeve të direkte dhe indirekte.
Nga kjo shtyllë, tha Malaj, parashikohet që rritja e të ardhurave tatimore të jetë me rreth 9 miliardë lekë deri në fund të vitit 2027.
Shtylla e dytë e strategjisë lidhet me miradministrimin tatimor, e cila parashikon rritje të të ardhurave tatimore me 51 miliardë lekë deri në fund të vitit 2027.
Ministri tha se disa prej komponentëve kryesorë të kësaj shtylle lidhen me reduktimin e punës së padeklaruar apo reduktimin e nëndeklarimit të pagës reale, si dhe reduktimin e uljes së pagesave në cash në ekonomi.
“Komponent kryesor i kësaj shtylle është edhe dixhitalizimi i plotë i sistemit të fiskalizimit, duke përfshirë edhe inteligjencën artificiale, në mënyrë që të rrisim deklarimet si dhe të ulim informalitetin. Normalisht nëpërmjet këtyre instrumenteve ne do të rrisim edhe profilizimin e riskut për tatimpaguesit, si dhe do të mundësohet investigimi i rasteve të shmangies tatimore”, tha Malaj.
Sa i përket shtyllës së tretë që lidhet me miradministrimin doganor, Ministri tha se fokusi kryesor do të jetë në zhvillimin e sistemeve të IT-së, në mënyrë që administrata doganore të ketë mundësi që të bëjë një profilizim më të thelluar të riskut për subjektet tatimpaguese, sikundër dhe të rrisë zhvillimin analitik të të dhënave të tyre në mënyrë që të sigurohet një rritje e qëndrueshme në mbledhjen e të ardhurave doganore.