Turqia është një partner i rëndësishëm i Shqipërisë në tregtinë ndërkombëtare. Instituti i Statistikave publikoi së fundmi raportin mbi tregtinë e jashtme për periudhën janar-qershor, sipas të cilit Turqia renditet partneri i tretë tregtar, duke zënë 7 % të vëllimit. Shkëmbimet tregtare me Turqinë në 6-mujorin e këtij viti, kanë arritur 54.5 miliardë lekë. Referuar të dhënave për periudhën janar-qershor eksportet shqiptare drejt Turqisë arritën 2.1 miliardë lekë, nga 2.3 miliardë lekë që ishin 6-mujorin e 2023-shit, ndërsa importet për periudhën 6-mujore llogariten mbi 52.4 miliardë lekë. Produktet më të eksportuara janë mineralet dhe metalet, bimët aromatike e mjekësore, dhe produktet fason. Nga Turqia, janë importuar 15 miliardë lekë materiale ndërtimi dhe metale, 7 miliardë lekë minerale, lendë djegëse, energji elektrike,si dhe 5.6 miliardë lekë tekstile dhe këpucë. Ndërkohë importi i produkteve kimike dhe plastike llogaritet gati 6 miliardë lekë. Shqipëria ka një marrëveshje të tregtisë së lirë me Turqinë, të nënshkruar në 2006-n, dhe e cila ka hyrë në fuqi në maj 2008. Nëpërmjet kësaj marrëveshje dy vendeve u krijohen mundësi për rritjen e shkëmbimeve tregtare ndërmjet tyre. Eksportuesit shqiptarë mund të përfitojnë nga marrëveshja e tregtisë së lirë mes Shqipërisë dhe Turqisë, e cila u jep atyre mundësinë e eksportit të një numri produktesh shqiptare në tregun rajonal pa tarifa doganore ose me kuota tarifore. Eksportet e produkteve industriale me origjinë shqiptare janë të liberalizuara. Ndërkohë, për produktet bujqësore palët i kanë akorduar reciprokisht njëra-tjetrës tarifa preferenciale dhe kuota tarifore.
Shkëmbimet tregtare me Turqinë, 54.5 miliardë lekë
RELATED ARTICLES