Mëngjesin e sotëm është mbledhur Këshilli i Sigurisë Kombëtare të Serbisë. Në këtë takim që po mbahet në Beograd është edhe presidenti serb Aleksandër Vuçiq, si dhe të gjithë përfaqësuesit e të gjitha institucioneve të sigurisë në Serbi. Takimi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare po mbahet një ditë pas tensioneve në veri të vendit, pasi njerëz me të dyshuar kriminale penguan kryetarët e zgjedhur më 23 prill të hyjnë në objektet e Kuvendeve Komunale në Zveçan, Leposaviq si dhe Zubin Potok. Për shkak të sulmeve ndaj tyre, policia u detyrua që të përdorë gazin lotsjellës si dhe shok-bomba për të shpërndarë qytetarët të cilët përpos policisë, sulmuan edhe përfaqësuesit e mediave si dhe civilë të tjerë. Policia deklaroi se të paktën pesë zyrtarë janë lënduar si pasojë e sulmeve ndaj tyre. Ndërkombëtarët, të prirë nga Shtetet e Bashkuara, kërkuan nga Kosova që të përmbahet nga “çdo veprim i mëtejmë që do t’i ndezë tensionet dhe do të nxisë konflikt”, ndërkaq Bashkimi Evropian po ashtu dënoi “veprimet e njëanshme” të Prishtinës. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar pas zhvillimeve të djeshme në veri të vendit. Ai është shprehur se shkuarja në vendet e punës së kryetarëve të rinj, të zgjedhur në zgjedhjet e 23 prillit në komunat në veri duhej të ishte gjëja më normale e mundshme. “Objekti i ndërtesës së komunës është vendi ku u shërbehet qytetarëve mbi bazën e ligjit e kushtetutës. Ai i takon Republikës prandaj edhe nuk është marrë dje e nuk do të merret asnjë ditë tjetër.”, ka shkruar Kurti në Facebook. Ai ka potencuar se i kuptojnë shqetësimet e ndërkombëtarëve lidhur me situatën e krijuar, por ka theksuar se opsionet e tjera do të ishin mospërmbushje e obligimeve kushtetuese. Kryeministri Kurti i ka ftuar qytetarët që të bashkëpunojnë me kryetarët e rinj. ATSH
Serbia mbledh Këshillin Kombëtar të Sigurisë
RELATED ARTICLES