Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, deklaroi se një marrëveshje armëpushimi midis Ukrainës dhe Rusisë mund të arrihet vetëm përmes bisedimeve të drejtpërdrejta midis presidentit të SHBA-së, Donald Trump, dhe atij rus, Vladimir Putin.

Duke folur përpara bisedimeve të planifikuara midis delegacioneve ukrainase dhe ruse në Turqi të premten, Rubio i tha se ”e vetmja mënyrë për të arritur një përparim është që Trump dhe Putin të ulen në tryezë”.

“Nuk e di ende se kur dhe ku do të ndodhë, por për momentin është e vetmja mundësi”, tha ai.

Trump ka bërë deklarata të ngjashme më parë, duke sugjeruar se mund të udhëtojë për në Turqi nëse bisedimet e justifikojnë këtë.

”Nëse do të ndodhte diçka, do të shkoja të premten, nëse kjo do të ishte e përshtatshme”, theksoi ai.

Rusia pritet të fillojë bisedimet me një delegacion ukrainas të premten për t’i dhënë fund pushtimit.

Kryenegociatori i Moskës, Vladimir Medinsky, i tha agjencisë së lajmeve Interfax se delegacioni i tij pret palën ukrainase në orën 10:00.