Media katalonjase “MónTerrassa” i kushton vëmendje këtij destinacioni, duke sjellë në fokus pasuritë natyrore të luginës së Vjosës dhe përvojat që ajo u ofron vizitorëve, nga aktivitetet në ujërat e lumit deri te eksplorimi i peizazheve dhe monumenteve natyrore përreth.
Në një kontinent ku ndërhyrjet njerëzore kanë ndryshuar ndjeshëm peizazhet natyrore, lumi Vjosa në Shqipëri përbën një nga shembujt e rrallë të rrjedhave ujore, që ruajnë karakterin e tyre të lirë, pa diga apo barriera të mëdha që pengojnë rrjedhën natyrore.
Ky lumë përfaqëson një pasuri të rëndësishme natyrore dhe dëshmon rëndësinë e mbrojtjes së ekosistemeve lumore, shkruan Alejandro Martín-Sanz de Santamaría në artikulli e botuar në median digjitale katalonjase “MónTerrassa”.
Në vitin 2023, Shqipëria shpalli Vjosën, Parkun e parë Kombëtar Lumor të Egër në Evropë, duke shënuar një moment të rëndësishëm për mbrojtjen e lumenjve në kontinent.
Ky vendim erdhi pas afro tri dekadash përpjekjesh për të parandaluar projektet e ndërtimit të digave dhe hidrocentraleve që kërcënonin ekosistemin e lumit.
Nisma synon të ruajë një sistem ujor me rëndësi të veçantë ekologjike dhe të garantojë vazhdimësinë e proceseve natyrore që përcaktojnë zhvillimin e tij.





