Qendra mesjetare e Beratit është një prej këtyre zonave që, edhe pse vizitore e rregullt e qytetit, si unë dhe shumë të tjerë, nuk ia dinim historinë.

Tashmë e rregulluar me rrugicat me kalldrëm dhe godina të restauruara, qendra mesjetare e Beratit fton vizitorët të kthehen pas në kohën kur qyteti u kthye në një qendër administrative ndër më të rëndësishmet e Perandorisë Osmane, madje edhe vetë Berati quhej “qyteti i sulltan Bajazitit”.

Godina kryesore e kompleksit që ndodhet në nisje të rrugicës që të drejton për në kala, në lagjen Mangalem, është Xhamia Mbret. Edhe sot e kësaj dite funksionale për besimtarët, xhamia pret përditë turistë të shumtë, që janë të interesuar të shohin dhe të mësojnë historinë e saj.

Në hyrje ata i pret Ferbenti, i cili tregon po aq histori interesante sa ka edhe emrin që ia ka vënë gjyshja, ndoshta pa e ditur që origjinën e ka nga persishtja me kuptimin “dritë e fortë e Zotit”.

Ferbenti udhëzon turistët si të hyjnë në xhami duke respektuar besimin (një shami koke dhe fund i gjatë është i detyrueshëm për të mbuluar veshje të papërshtatshme për një vend kulti) por gjithashtu iu përgjigjet të gjitha pyetjeve të tyre me shumë mirësjellje në anglisht.

Ai na tregon se xhamia quhet Mbret pasi u ndërtua me urdhër dhe financim të drejtpërdrejtë të vetë sulltanit të Perandorisë Osmane. Në dokumentet e vjetra osmane, ajo njihej si Hünkâr Camii (Xhamia e Hynqarit) ose Sultan Bayezid Camii (Xhamia e sulltan Bajazitit).

Ajo u ndërtua rreth viteve 1492–1495 me porosi të sulltan Bajazitit II, i cili kreu një fushatë ndërtimi të xhamive perandorake (mbretërore) në disa qytete strategjike të Ballkanit.

Kjo ndodhi kur Perandoria Osmane vendosi sundimin në qytet dhe Qendra Mesjetare që njihet sot u bë qendra administrative e zonës. Prej kësaj xhamie shpalleshin urdhrat e sulltanit.

Por xhamia është elementi i parë i saj, pasi në qendër ndodhen edhe Teqeja Helvetiane, hani, pusi dhe dy varre të vjetër, që kanë po ashtu historinë dhe legjendat e veta.

Ferbenti na tregon se teqeja nuk ka lidhje me bektashizmin, ajo i përket urdhrit mistik sufi të helvetive. Marrim çelësin dhe hyjmë në një prej perlave të trashëgimisë shpirtërore në Berat.

Tavani prej druri i sallës së lutjeve është i dekoruar me piktura të stilit barok dhe i mbuluar me fletë ari 14-karatëshe. Na duket e pabesueshme që kjo të jetë e vërtetë e të ketë mbetur ende e tillë, por Ferbenti e konfirmon me bindje.

Sipas studiuesve muret e brendshme kanë vrima të vogla teknike për të përmirësuar akustikën, ndërsa hyrja paraprihet nga një portik me pesë shtylla, që thuhet se vijnë nga qyteti antik i Apolonisë.

Ndryshe nga shumë objekte të tjera të kultit në islam, muret mbajnë të ruajtura tetë afreske me peizazhe, por jo me figura njerëzore.

Brenda teqesë ndodhet edhe një ballkon druri i gdhendur ku qëndronin muzikantët gjatë ceremonive.

Siç na shpjegon kujdestari i Xhamisë Mbret gjithçka është ruajtur pasi objekti u shpall monument kulture në komunizëm. Ndryshe ndodhi me xhaminë, e cila u kthye në magazinë, ndërsa minareja u shkatërrua deri në gjysmë, gjurmë që ruhet edhe sot. Themeli është i vjetër ndërsa pjesa e sipërme e ringritur pas ndryshimit të sistemit.

Ferbenti na tregon se kuptimi i teqesë është ai i një qendre kulturore ku zhvilloheshin mësime feje, aktivitete të ndryshme dhe ku udhëtarët apo studentët kishin edhe hanin ku kalonin natën.

Ky han tashmë i restauruar dhe i kthyer në zyra, ruan elementët e punimit në dru dhe në mes të sheshit qëndron edhe një pus, po ashtu i pajisur me elementët që kishte dikur. Pusi përdorej për të marrë abdes, si dhe për dervishët e pelegrinët që strehoheshin në han ose në Konakun e Dervishëve, siç quhej.

Përballë Xhamisë Mbret në plotësim të qendrës ndodhen edhe dy varre me kolona e mbishkrime në arabisht që zgjojnë interesin e vizitorëve.

Sipas të dhënave, xhamia kishte dikur varrezën e vet ku vendoseshin njerëz me statusin e duhur për t’u prehur pranë saj. Në komunizëm pjesa më e madhe e varreve u sheshuan për t’ia lënë vendin objekteve të tjera, por mbetën vetëm dy prej tyre për shkak se kishin elemente të monumenteve kulturore.

Një nga varret thuhet se i përket një vajze të re, pjesë e familjes së Kurt Pashës që ndërtoi këtë kompleks në vitin 1782. Studiuesit thonë se aty ndodheshin edhe varret e dervishëve që shërbenin në teqe.

Pasi viziton të gjithë elementet e kompleksit, hija e një peme të lartë në mes të oborrit të fton për disa momente reflektimi. Vizitorë të shumtë i përdorim stolat aty për të pushuar, ndërsa përballë shfaqet tabloja e kalasë dhe rrugicat me kalldrëm.

Kjo pjesë e Qendrës Mesjetare të Beratit është transformuar nga restaurimi i thellë dhe i plotë gjatë viteve 2018–2021, në kuadër të programit “Rrugët e Besimit”.

Guidat turistike në Berat e kanë mirëpritur si destinacion, si pasurim i ofertës së qytetit trashëgimi e UNESCO-s, që prej vitesh tashmë përjeton flukse të mëdha vizitorësh. Tashmë u takon edhe vendasve të mësojnë më shumë për këtë copëz historie të ruajtur me mundim.