Sipas vendimit, trupat e kontrollit që kërkojnë miratim për të vepruar sipas legjislacionit shqiptar duhet të kenë një zyrë në territorin e vendit, të pajisur me infrastrukturën dhe personelin e nevojshëm.
Kriteret e reja parashikojnë që këto struktura të kenë personel të kualifikuar, ekspertizën dhe pajisjet e duhura, si dhe organizim të brendshëm që garanton paanshmërinë dhe shmangien e konfliktit të interesit.
Një tjetër përcaktim lidhet me procedurat e aplikimit, të cilat do të kryhen online përmes portalit qeveritar e-Albania. Dosja duhet të përmbajë dokumentacionin për vlerësimin e riskut, procedurat standarde të kontrollit dhe certifikimit, certifikatën e akreditimit, kontratat me laboratorë të akredituar, si dhe të dhënat për strukturën organizative dhe kualifikimet e personelit.
Sektori përgjegjës për prodhimin organik në ministrinë e Bujqësisë do të verifikojë dokumentacionin brenda pesë ditëve pune. Në rast se konstatohen mangësi, aplikanti do të njoftohet një herë për plotësimin e tyre brenda shtatë ditëve pune.
Komisioni për Prodhimin Organik do të shqyrtojë aplikimin brenda 20 ditëve pune nga depozitimi i dosjes së plotë. Në rast miratimi, trupa e kontrollit pajiset me certifikatë regjistrimi, e cila do të ketë vlefshmëri pesëvjeçare, me të drejtë rinovimi.
Për herë të parë në këtë kuadër rregullator përcaktohen edhe procedurat e njoftimit të aktivitetit për trupat e kontrollit që veprojnë në Shqipëri sipas standardeve të tjera të prodhimit organik, të njohura nga autoritetet kompetente të vendeve përkatëse ose nga Komisioni Evropian.
Trupat e kontrollit do të kenë detyrimin të raportojnë mospërputhjet që cenojnë integritetin e produkteve organike, si dhe të paraqesin çdo vit listën e operatorëve dhe informacionin statistikor për aktivitetin e tyre në Shqipëri.





