Sipas projektligjit, ndryshimet synojnë të përmirësojnë procedurat për identifikimin, verifikimin, shpalljen dhe regjistrimin e pasurive kulturore, duke përcaktuar më qartë përgjegjësitë institucionale, afatet dhe mënyrën e vlerësimit.
Projektligji synon përmirësimin dhe modernizimin e kuadrit ligjor në fushën e trashëgimisë kulturore, në funksion të forcimit të mbrojtjes, ruajtjes, administrimit dhe menaxhimit të qëndrueshëm të pasurive kulturore materiale dhe jomateriale.
Gjithashtu, projektligji synon forcimin e mekanizmave të financimit dhe mbështetjes së pronarëve dhe administruesve të pasurive kulturore, si dhe përmirësimin e dispozitave që lidhen me importin, eksportin, qarkullimin dhe kthimin e pasurive kulturore të larguara në mënyrë të paligjshme, në përputhje me standardet dhe praktikat ndërkombëtare në këtë fushë.
Në relacionin shoqërues thuhet se “projektligji rregullon në mënyrë më të plotë ndërhyrjet në pasuritë kulturore të paluajtshme, duke përcaktuar procedura të veçanta për mirëmbajtjen, masat urgjente, ndërhyrjet ruajtëse, restaurimin, ndryshimin e destinacionit dhe përshtatjen funksionale të tyre. Në këtë kuadër, krijohen mekanizma që mundësojnë integrimin e pasurive kulturore në procese zhvillimi, duke garantuar ruajtjen e autenticitetit, integritetit dhe vlerave kulturore që ato mbartin”.
Një tjetër risi është krijimi i mundësive për mbështetje financiare të pasurive të trashëgimisë kulturore që nuk janë në pronësi publike. Kjo mbështetje mund të jepet përmes granteve, bashkëfinancimit ose kontributeve në natyrë, për shpenzime që lidhen me dokumentimin, studimet, projektimin, punimet, mbikëqyrjen dhe certifikimin e ndërhyrjeve.





