Operacioni “Plazhe të Pastra” për pastrimin e bregdetit ka nisur edhe në bashkitë Himarë, Vlorë, Sarandë e Rrogozhinë.
Ky është viti i tretë që po zhvillohet ky aksion në bashkitë bregdetare.
Ministria e Turizmit dhe Mjedisit përmes Agjencisë Kombëtare të Bregdetit do të mbështesë me një operator shtesë pastrimi bashkitë bregdetare nga muaji qershor deri në shtator, që përkojnë edhe me pikun e sezonit turistik.
Përmes këtij operacioni, Agjencia Kombëtare e Bregdetit u bashkohet ekipeve të bashkisë me pajisje shtesë pastrimi dhe burime njerëzore duke dyfishuar kapacitetet përgjatë vijës bregdetare në bashkitë Himarë, Vlorë, Sarandë, Rrogozhinë, Kavajë, Durrës e Shkodër deri më 15 shtator.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro tha se në këtë aksion Agjencia Kombëtare e Bregdetit u bashkohet bashkive duke dyfishuar kapacitetet në pajisje dhe forca njerëzore për pastrimin 24 orë në 24 të plazheve e qyteteve bregdetare.
Kumbaro vuri në dukje se bashkëpunimi i qytetarëve dhe mirëkuptimi i bizneseve është domosdoshmëri për një sezon turistik të mbarë e të pastër.
Më herët, ministrja Kumbaro së bashku me stafet e Agjencisë Kombëtare të Bregdetit ka zhvilluar inspektime në bashkitë bregdetare për t’u takuar me përfaqësues të pushtetit vendor dhe bizneset me qëllim koordinimin për mbarëvajtjen e sezonit turistik bregdetar. Për herë të parë, këtë vit operacionit i bashkohet edhe bashkia Shkodër me plazhin e Velipojës.
Procesi i pastrimit në territor kryhet nga bashkitë, por nisur nga flukset e shtuara turistike prej tre vitesh tashmë Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka vendosur të mbështesë njësitë vendore gjatë muajve të fluksit.
Rreth 974 mijë turistë të huaj kanë vizituar Shqipërinë gjatë muajit maji 2024, duke e çuar në më shumë se 3.3 milionë shifrën totale të flukseve turistike hyrëse në pesë muajt e parë të vitit në vendin tonë.