Për dy ditë me radhë, Peza Adventure Festival mblodhi këtë fundjavë admiruesit e hipizimit, por edhe sportistë profesionistë në aventurat sportive me kuaj, pak të praktikuar në vendin tonë, por me një histori të veçantë ndër vite. Kreu i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i pranishëm në hapjen e festivalit, u shpreh se kryeqyteti gjithnjë e më shumë po kthehet në një pol shumëdimensional sa i përket sporteve, duke përmendur edhe triumfatorët, të cilët vetëm vitin e fundit i kanë dhënë Shqipërisë tre medalje ari. “Kemi bërë progres në shumë disiplina sportive: Jemi kampionë Europe në atletikë, jemi kampionë bote në mundje dhe në peshëngritje; tashmë, do të duhet të inkurajojmë edhe sportistët që ta bëjnë pjesë të refrenit tonë edhe sportin e hipizmit, të qenit afër me natyrën, jetën e shëndetshme,” u shpreh ai. Tirana – tha Veliaj – është e mbushur si kurrë më parë me turistë, por edhe me mjaft aktivitete. “Para një jave kishim Festivalin e Nomadëve Digjitalë, pastaj festën e verës “Made in Tirana”,” tha ai, duke shtuar se së shpejti produktet dhe eventet lokale do kthehen në ‘brand’ për çdo lokalitet të Tiranës. “Ashtu siç e kemi branduar Pezën me Festën e Pezës dhe këtë festival të aventurës, ashtu siç Shëngjergjin e identifikojmë me Festën e Domates së vonë, ashtu siç emri i Farkës fokusohet te prodhimi i verës dhe i rakisë, duam që këtë trend ta çojmë në të gjitha lokalitetet dhe periferitë e Tiranës. Nuk besoj se ka një vend si Tirana, e cila ndodhet strategjikisht afër detit dhe afër malit, e rrethuar nga e gjithë kjo kurorë,” theksoi ai. Veliaj nuk la pa nënvizuar edhe numrin e madh të turistëve, që këtë vit kanë vizituar Tiranën, pikërisht të tërhequr nga ky ‘boom’ aktivitetesh. “Ka qenë ndoshta viti më i paharruar i Tiranës, për sa i takon aktiviteteve. Për herë të parë, pa mbaruar viti, kemi kaluar numrin e turistëve krahasuar me numrin e banorëve. Nëse vazhdojmë me këtë trend, nëse hotelet i kemi plot, nëse restorantet, siç pashë duke ardhur në Pezë, i kemi plot, këto janë të gjitha para që lëvizin në ekonomi,” tha Veliaj. Përmes këtij festivali bashkia e Tiranës synon jo vetëm të rikthejë traditën e garave me kuaj, por dhe të promovojë vlerat natyrore e kulturore të zonës dhe rëndësinë që kanë sportet e në veçanti hipizmi për shëndetin e njeriut.
Peza kthehet në qendrën e hipizmit
RELATED ARTICLES