Me rastin e 120-vjetorit të lindjes së fotografit pogradecar Misto Cici, bashkia Pogradec, në përkujtim të tij, organizoi një aktivitet me të rinjtë e apasionuar pas fotografisë. Të rinjtë vizituan fototekën e Misto Cicit, në lagjen historike të qytetit, Toplec, si dhe realizuan fotografi në të njëjtat vende ku vite më parë fotografi pogradecar shkrepi imazhet e para. Peizazhe, ndërtesat, rrugicat e qytetit, liqeri, “Uçkat”, këtë herë u fotografuan duke ndjekur gjurmët e Mistos. Më pas fotografët e rinj, krahasuan fotot e tyre me Pogradecin e dikurshëm të Misto Cicit. Misto Cici, lindi në Pogradec, më 10 tetor 1902. Historia me fotografinë fillon qysh në moshën 13-vjeçare, si nxënës i Koci Llakmanit, që ish kthyer nga Amerika dhe kishte sjellë një aparat i cili punonte me pllaka xhami. Në vitin 1918, mësuesi i tij duke parë intuitën artistike të Mistos, ia shet aparatin bashkë me laboratorin. Në vitet ’40 veprimtaria e tij zgjerohet edhe jashtë, duke sjellë mjete bashkëkohore. Në këto vite, në Itali, stampohen 12 foto-peizazhe të Pogradecit nën autorësinë e Misto Cicit, të cilat shërbyen si kartolina për qytetin. Në ’47 u cilësua si fotografi më i mirë, për cilësinë dhe saktësinë e fotografimit gjatë fushatës për pajisjen e popullsisë me pasaporta të reja. Misto thirret si fotoreporter në Tiranë. Gjithë jetën e tij ia kushtoi kapjes të ngjarjeve në çdo cep të qytetit liqenor, si dhe fiksimin e çdo stine në Pogradec.
Në gjurmët e mjeshtrit Misto Cici
RELATED ARTICLES