I lindur në Vuno të Himarës, Anagnosti u diplomua për kinooperator në Institutin Kinematografik të Moskës në vitin 1960. Fillimisht punoi si operator në Kinostudion “Shqipëria e Re”, ku kontribuoi në filma të njohur si Debatik, Toka jonë dhe Komisari i dritës.

Në vitin 1967 nisi rrugëtimin si regjisor me “Duel i heshtur”, ndërsa më pas krijoi një varg veprash që i dhanë një identitet të veçantë filmit shqiptar; “Plagë të vjetra”, “Malet me blerim mbuluar”, “Lulëkuqet mbi mure”, “Përrallë nga e kaluara”, “Kthimi i ushtrisë së vdekur” dhe “Gjoleka, djali i Abazit”.

“Lulëkuqet mbi mure” (1976) mbetet një nga kulmet e krijimtarisë së tij dhe një prej filmave më të vlerësuar të kinematografisë shqiptare.

Përveç regjisorit dhe operatorit, Anagnosti ishte edhe skenarist dhe dramaturg. Në vitin 2001 shkroi dhe vuri në skenë dragon “Nata e trokitjeve në xham” në Teatrin Kombëtar.

Krijimtaria e tij u vlerësua me çmime kombëtare e ndërkombëtare, përfshirë Çmimin e Republikës, çmime në festivale shqiptare dhe vlerësime ndërkombëtare.

Dhimitër Anagnosti u nda nga jeta në vitin 2025, duke lënë pas një trashëgimi të çmuar në historinë e artit dhe kinemasë shqiptare.