”Ndre Mjeda” në Kukël, vlerë për historinë

0
4

Qendra Muzeore “Ndre Mjeda” në Kukël mban statusin Monument Kulture i Kategorisë së Parë që prej vitit 2012. Kompleksi përbëhet nga kisha dhe qela, banesa ku Mjeda jetoi dhe krijoi për rreth 30 vite. Objekti është ideuar dhe projektuar nga vetë Mjeda në stil neoklasik.

Qela është ndërtuar në vitin 1906, ndërsa kisha në vitin 1913. Në vitin 1962 banesa u kthye në shtëpi-muze, si degë e Muzeut të Shkodrës, ku ekspozoheshin objekte personale të poetit, materiale fotografike, botime librash dhe shkrime studimore.

Pas mbylljes së saj në vitin 1991, materialet e ekspozuara u transferuan në Muzeun Historik të Shkodrës. Dy vite më vonë, në kishën e Kuklit shërbyen misionaret e Nënë Terezës, të cilat realizuan edhe ndërhyrje shtesë në kompleks.

Banesa karakterizohet nga ndërtimi me mur guri, çati me konstruksion druri dhe tjegulla vendi, ndërsa elementët e brendshëm ruajnë tiparet tradicionale të kohës.

Qendra Muzeore “Ndre Mjeda” është një destinacion që duhet vizituar për vlerat e saj të jashtëzakonshme historike dhe kulturore, si dhe për historinë shekullore që mbart.