Në Lezhë ka nisur ndërhyrja për shkatërrimin e gurëve në malin e Torovicës, prej vitesh të kthyer në rrezik për banorët e zonës.
Autoritetet po punojnë për të rritur sigurinë në këtë aks, ku do të bëhet shpërthimi i komanduar i gurëve nga forcat xheniere.
Operacioni po mbështetet edhe nga Emergjencat Civile të Lezhës dhe bashkia e këtij qyteti.
Kryetari i bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu e konsideroi këtë një hap konkret për rritjen e sigurisë në Torovicë.
“Ekipi i Emergjencave Civile bashkia Lezhë, në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes dhe Prefekturën Lezhë, ka nisur operacionin xhenier për shkatërrimin e masiveve shkëmbore përgjatë aksit rrugor në Torovicë. Kjo ndërhyrje vjen si përgjigje ndaj aksidenteve të ndodhura si pasojë e rënies së gurëve, si dhe ankesave të vazhdueshme të banorëve të zonës”, u shpreh ai.
Sipas Ndreut, bashkia ka marrë përsipër financimin e plotë të këtij operacioni, duke garantuar një ndërhyrje të shpejtë dhe të sigurt për eliminimin e rrezikut.
“Siguria e qytetarëve është dhe mbetet prioritet”, u shpreh ai.





