Tuesday, November 26, 2024
HomeSPORT-KULTURE-ARTKULTUREMuzeu “Marubi”, aktivitete për Ditët Europiane të Trashëgimisë

Muzeu “Marubi”, aktivitete për Ditët Europiane të Trashëgimisë

Në vende të ndryshme janë duke u kremtuar Ditët Europiane të Trashëgimisë. Datat dhe aktivitetet variojnë nga shteti në shtet. Aktivitet përgjatë kësaj jave janë duke u zhvilluar në Francë, Poloni, Lituani por edhe në vendin tonë. Ka qenë Muzeu “Marubi” që i ka kushtuar vëmendje Ditëve Europiane të Trashëgimisë. Për vitin 2023, tematika është “Trashëgimia e Gjallë” që i referohet praktikave, dijeve dhe mjeshtërive që janë tejçuar ndër breza e që promovojnë në ditët e sotme, diversitetin kulturor dhe kreativitetin. Muzeu “Marubi”, këtë vit ka ndërtuar një program i cili i kushtohet ekspozitës së përkohshme të vëllezërve Janaki e Milton Manaki, fotografë e kineastë, ndër më të rëndësishmit e Ballkanit të fillim shekullit XX, përmes punëtorive dhe kontributeve të studiuesve të fushave të ndryshme të cilët hedhin dritë mbi historinë e krijimtarinë e Manakëve apo trajtojnë rituale që i gjejmë të pasqyruara në imazhet e tyre. Duke nisur nga punëtoritë, pjesë e programit të edukimit mbi ekspozitën e duke vijuar me bisedat me Igor Stardelov, studiues e drejtues i arkivit të filmit në Kinotekën e Maqedonisë së Veriut dhe Mikaela Minga muzikologe e cila do të prezantojë me një hulumtim të sajin mbi muzikën arumuno-vllehe, ditët e trashëgimisë përmbyllen të shtunën në darkë, me shfaqjen e dokumentarit të regjisores Eliza Zdru, i cili zë fill nga një fotografi e ruajtur në albumin e famijes që e nxit të rrugëtojë nëpër Ballkan, në kërkim të gjurmëve të Janaki dhe Milton Manaki. Aktivitetet e Muzeut “Marubi” kushtuar Ditëve Europiane të Trashëgimisë do të vazhdojnë deri më 16 shtator.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments