Ndërhyrjet, të parashikuara në dy faza, përfshijnë konsolidimin e muraturave prej guri, restaurimin e elementeve prej druri, dyerve, dritareve dhe shkallëve, si dhe rindërtimin e çative tradicionale me rrasa guri.
Punimet synojnë të shpëtojnë strukturat historike nga degradimi i mëtejshëm dhe të rikthejnë funksionalitetin e kompleksit, duke ruajtur origjinalitetin dhe karakterin tradicional të tij.
Restaurimi merr një rëndësi të veçantë edhe pas shpalljes së Kishës së Manastirit të Kryeengjëjve Pasuri Kulturore me statusin “Monument Kulture”, Kategoria I, së bashku me zonën e saj mbrojtëse.
Ndërhyrja pritet të kontribuojë në ruajtjen e një prej dëshmive të rëndësishme të trashëgimisë historike, arkitekturore dhe shpirtërore të Dropullit, si dhe në rijetësimin e kompleksit për komunitetin dhe vizitorët.





