Në këmbë të malit të Shëndëllisë, fshati Mezhgoran mund të cilësohet me plot të drejtë si fshati me pamje nga Vjosa.

Në krah ngrihet madhështor mali i Trebeshinës, përballë majat e Golikut, të vargmalit të Lunxhërisë e deri Nemërçka, ndërsa poshtë shtrihet përrallore lugina e Vjosës, me grykën e Këlcyrës dhe me gjurmën e bardhë të lumit të fundit të egër në Europë.

Fshati i njohur për betejën e luftës antifashiste nacionalçlirimtare të 2 korrikut 1943 kundër forcave pushtuese, ku ra dëshmor Heroi i Popullit, Asim Zeneli mbetet i pazbuluar në krahasim me fshatrat e tjerë të zonës, ku Peshtani në shpatin përballë të Golikut ka njohur zhvillim në turizmin malor dhe agroturizëm.

Mezhgorani ndodhet rreth 15-20 minuta larg qytetit të Tepelenës. Rruga që të çon në fshat degëzohet nga aksi kryesor Tepelenë-Këlcyrë.

Në Mezhgoran gjithçka ka mbetur si një pikturë e së kaluarës, por kjo në pamje të parë.

Rruga e re, e hapur në kuadër të projektit “Rrugë të Bardha”, tregon se gjërat po lëvizin, dhe banorët e kanë ndjerë këtë.

Mes shtëpive të braktisura, disa prej të cilave të rrënuara, duken investimet e para me shpresën se për pak kohë fshati do të marrë vëmendje, do të vijnë vizitorë e do të lëvizë ekonomia lokale që aktualisht mbahet vetëm me blegtori.