Turi i 80-të çiklistik i Shqipërisë me pjesëmarrjen e 15 ekipeve nga vende të ndryshme të botës dhe 150 garues do të zhvillohet më 22-26 maj. Policia e Shtetit ka marrë masa për garantimin e sigurisë së çiklistëve dhe për lehtësimin e lëvizjes së automjeteve në disa akse rrugore, gjatë zhvillimit të këtij aktiviteti ndërkombëtar. Shërbimet e Policisë Rrugore, të Patrullave të Përgjithshme dhe të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, të DVP Tiranë, Elbasan, Fier, Vlorë dhe Gjirokastër, në bashkëpunim me organizatorët e aktivitetit ndërkombëtar “Turi i 80-të çiklistik i Shqipërisë”, kanë marrë masa për mbarëvajtjen e aktivitetit, përsa i përket sigurisë rrugore dhe rendit. Me qëllim garantimin e zhvillimit të këtij aktiviteti dhe për të njoftuar qytetarët që kanë planifikuar lëvizjen në akset rrugore, në datat që do zhvillohet ky tur çiklistik, Policia e Shtetit ka marrë masat e duhura për bllokimin dhe devijimin e lëvizjes së automjeteve në akset rrugore ku do të zhvillohet aktiviteti. Aktiviteti çiklistik përfshin 5 etapa garash me itinerare të gjata në disa nga akset rrugore kombëtare. Etapa e parë nis më 22 maj në orën 12:00 me itinerarin sheshi “Nënë Tereza”, Tiranë – Elbasan – Dushk – Lushnjë. Në kthim ndiqet i njëjti itinerar, për të përfunduar në Krrabë, në orën 16:30. Etapa e dytë nis më 23 maj në orën 12:00, me itinerarin sheshi “Nënë Tereza”, Tiranë –Elbasan – Lushnjë dhe përfundon në qendër të Elbasanit, në orën 17:00. Etapa e tretë nis më datë 24.05.2023, në orën 12:00, me itinerarin bulevardi “Aqif Pasha”, Elbasan – Lushnjë – Fier dhe përfundon në Vlorë, në orën 16:15. Etapa e katërt starton më 25 maj në orën 12:00, me itinerarin Lungomare, Vlorë – Fier – Mbrostar Ura, Fier – Levan – Tepelenë dhe përfundon në Përmet, në orën 18:30 dhe etapa e pestë starton më 26 maj në orën 10:00, me itinerarin qendra e Përmetit –Tepelenë – Levan dhe përfundon në Fier, në orën 13:00. Duke qenë se aktiviteti çiklistik përfshin gjatësi dhe itinerare rrugore në pjesën më të madhe të akseve kombëtare që lidhin jugun e Shqipërisë me qendra të tjera të rëndësishme, Policia e Shtetit apelon dhe kërkon mirëkuptimin e qytetarëve që të shmangin qarkullimin në rrugët që janë pjesë e itinerarit, në oraret e zhvillimit të aktivitetit. atsh