Manastiri u restaurua falë projektit të hartuar nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore dhe DRTK Korçë, me financim të Bashkimit Evropian (BERZH).

I ndërtuar në shekullin XVII dhe shpallur Monument Kulture i Kategorisë I, manastiri është një nga monumentet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore shqiptare, duke ruajtur afreske të rralla dhe elementë të stilit bizantin që dëshmojnë traditën kulturore të Voskopojës ndër shekuj.

Manastiri i Shën Prodhomit ose Pararendësit, është një prej objekteve më të hershme të kultit në Voskopojë. Ky objekt i njohur ndodhet në pjesën veriore të Voskopojës në lartësinë 1279 m, mbi një pozicion natyror ku hapet një panoramë e gjerë. Ai lidhej dikur me Voskopojën me një rrugë kalldrëmi dhe përveç rrethimit, përbëhej nga konakët që përfaqësohen sot nga ndërtesë e madhe dykatëshe në formën e shkronjës L. Në qendër të këtij kompleksi ndodhet kisha qendrore (katholikoni), ndërsa pranë saj ka qenë edhe paraklisi i dikurshëm i ‘’Tre Arkondëve’’. Sipas një gojëdhëne të mbledhur në Korçë dhe të cituar nga disa autorë, thuhet se ky manastir është themeluar nga disa murgj me origjinë nga Voskopoja, Boboshtica dhe Mborja të quajtur ‘’prodhromitë’’, të cilët janë varrosur më pas në oborrin e tij. Ndërkohë mbishkrimi më i vjetër që e dokumenton manastirin e ‘’Shën Prodhromit’’ është ai i një pllake mermeri në faqen e brendshme të derë së kishës, ku përmendet viti 1632.