-Lituania ka përfunduar ndërtimin e një gardhi rreth 550 kilometra të gjatë në kufirin e saj me Bjellorusinë. “Pengesa fizike sigurisht që do t’i ndihmojë rojet kufitare të kundërshtojnë migrimin e paligjshëm në mënyrë më efektive”, tha kryeministrja Ingrida Simonyte në një deklaratë. Lituania ka një kufi prej rreth 680 kilometrash me Bjellorusinë autoritare, e cila shërben edhe si kufi i jashtëm i Bashkimit Evropian. Prej tyre, më shumë se 100 kilometra kalojnë nëpër liqene dhe lumenj. Situata në Bjellorusi u përshkallëzua në fund të verës dhe vjeshtës së vitit 2020, ndërsa mijëra persona u përpoqën të hynin ilegalisht në vendet e BE-së. Bashkimi Evropian ka akuzuar liderin bjellorus, Alexander Lukashenko se ka transportuar migrantë nga rajonet e krizës në kufirin e BE-së për të ushtruar presion ndaj Perëndimit pas vendosjes së sanksioneve. Kjo ka prekur kryesisht Lituaninë, e cila pas një qetësie ka regjistruar sërish një numër në rritje të tentativave për të kaluar kufirin, javët e fundit. Qeveria në Vilnius iu përgjigj krizës së vitit 2020 duke rritur mbrojtjen e kufirit dhe duke ndërtuar një gardh që është 4 metra i lartë dhe i mbështjellë me tela me gjemba. Politika aktuale e Lituanisë për kthimin e refugjatëve në kufi është kritikuar ashpër nga organizatat ndërkombëtare.https://ata.gov.al/2022/08/30/rige-lituania-perfundon-gardhin-550-kilometra-te-gjate-ne-kufirin-me-bjellorusine/
Lituania përfundon gardhin 550 kilometra të gjatë
RELATED ARTICLES