Në dy komisione të Parlamentit Evropian pritet të miratohet të hënën në mbrëmje raporti për pozicionin e këtij institucioni të BE-së për planin për zhvillim dhe reforma për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor – një paketë prej gjithsej 6 miliardë eurosh dedikuar investimeve në këto vende. Ky votim është pjesë e procedurës së rëndomtë, në mënyrë që vendimi i BE-së të bëhet formal. E, për t’u bërë formal, hapi i fundit është që për këtë vendim, të propozuar fillimisht nga Komisioni Evropian, të pajtohen në negociata të përbashkëta Këshilli i BE-së që përfaqëson 27 vendet anëtare dhe Parlamenti Evropian. Fjala është për një prej paketave më ambicioze që Bashkimi Evropian ka planifikuar për vendet e rajonit, të cilat synojnë anëtarësimin në BE. Kjo paketë është e veçantë, krahas fondeve që tashmë janë në dispozicion në kuadër të programeve të para-anëtarësimit, të njohura me shkurtesën IPA.
Me këtë plan, BE-ja synon të stimulojë rritjen ekonomike në gjashtë vendet e rajonit, paralelisht të ndihmojë procesin e reformave dhe, në këtë mënyrë, t’u ndihmohet këtyre vendeve që të bëhen gati sa më shpejt për t’u anëtarësuar në BE. Sipas këtij plani, që fillimisht e ka paraqitur Komisioni Evropian e tash e ka mbështetur edhe Këshilli, për vendet e rajonit do të ndahen 2 miliardë euro në formën e parave të gatshme pa kthim, ndërsa 4 miliardë euro do të jenë në formën e kredive të favorshme. Por, të tria institucionet e BE-së kanë insistuar se vendet e rajonit, për të përfituar nga kjo paketë e asistencës financiare, duhet të përmbushin një varg kriteresh jo edhe aq të lehta.
Në mesin e tyre janë kriteret bazike, të cilat vlejnë njëlloj për të gjitha vendet anëtare. Ato kanë të bëjnë me sundimin e ligjit, respektimin e parimeve të demokracisë, reformat institucionale dhe ndërmarrjen e hapave të domosdoshëm për të siguruar se mjetet nuk do të keqpërdoren. Në propozimet e të tria institucioneve të BE-së, që tash duhet të negociohen për t’u miratuar si një vendim i përbashkët, përmendet kushti për kontrolle financiare dhe auditime të pavarura. Tërhiqet vërejtja se pagesat për projekte të vendeve të rajonit, do të jenë të kushtëzuara me kritere strikte që kanë të bëjnë me reforma. Para se të bëhet pagesa, Komisioni Evropian duhet të raportojë se janë përmbushur kushtet dhe vendimin duhet ta miratojë Këshilli.