Dom Simon Jubani lindi në Shkodër më 1927, aty ku kreu për disa vite Shkollën Apostolike të Jezuitëve. Pas mbylljes me forcë të shkollave katolike në vitin 1946, ai kaloi në gjimnazin e shtetit. U transferua në Tiranë, ku kreu një kurs për radiologji dhe u vendos me punë në spitalin ushtarak të kryeqytetit, e më pas në Sanatoriumin e Shkodrës. Në vitin 1957 ai dorëzohet meshtar dhe vendoset famullitar në Mirditë, ku dhe u arrestua. Dom Simon Jubani vuajti gjithsej 26 vjet burg dhe u lirua në vitin 1989 në sajë të perstrojkës.
Sic shprehej vetë Dom Simon Jubani: “Në Burrel kam krye “Universitetin e Burgut Komunist”. Mësova me shkrue e me folë Latinisht, Greqisht, Italisht, Frengjisht, Anglisht që ma vonë më shërbyen me i ba miq Shqipnisë në tanë rruzullin toksor, tue i tregue se cka ka ndodhë në vendin tem, tue fitue kshtu epitetin “Profeti””. Ai ka shkruar një libër me kujtime “Burgjet e mia”.
Më 4 nëntor 1990, Dom Simon Jubani mban meshën e parë katolike në kapelën e djegur të varrezave të Rrmajit në Shkodër, pas shumë vitesh përndjekje dhe shtypje të lirisë fetare në Shqipëri. Ai është dekoruar me diplomën “Doctor Honoris Causa” nga Universiteti i San-Franciskos në Kaliforni dhe me diplomë të posaëme nga shteti i Miçiganit si “Nismëtar i lirisë së fjalës dhe shtypit”, si dhe mban titullin “Qytetar Nderi i Shkodrës”.