Ministria e Tregtisë e Kinës ka publikuar një projektplan për të kufizuar eksportin e 40 teknologjive të rëndësishme që lidhen me inteligjencën artificiale (IA), energjinë diellore dhe biomedicinën, teknologjitë që përdoren në mjekësi dhe në zhvillimin e trajtimeve të reja.

Sipas planit, eksporti i 14 prej këtyre teknologjive do të ndalohet, ndërsa për 26 të tjerat do të kërkohet miratim paraprak nga autoritetet kineze.

Pavarësisht se plani nuk është përfundimtar, kompanitë janë të detyruara të regjistrojnë transferimet e teknologjive që preken nga këto masa.

Këtu përfshihen shitja e të drejtave mbi një teknologji ose shpikje, si dhe dhënia e lejes për ta përdorur atë jashtë Kinës.