Luitpold ka fituar për të katërtin vit radhazi çmimin e parë në kategorinë e qenve me peshë mbi 8 kilogramë, në garën e qenve “dachshund” (salçiçe) që zhvillohet në Mynih, njoftuan organizatorët.

Megjithëse ishte më i shpejtë se konkurrentët e tij, qeni nga periferia e Mynihut e përshkoi pistën prej 40 metrash më ngadalë se një vit më parë, duke regjistruar kohën prej 6,31 sekondash.

Sipas vlerësimeve të organizatorëve, aktiviteti i zhvilluar gjatë fundjavës në qendrën “Motorworld” të Mynihut tërhoqi rreth 30 000 vizitorë.

Gara u zhvillua në kuadër të aktivitetit “Dog World”, i cili përfshinte gjithashtu një panair dhe një program artistik në skenë.

Për garën ishin regjistruar 127 qen, tre më shumë se një vit më parë.

Shumë prej tyre kishin këmbë të shkurtra dhe emra të shkurtër, si Luna, Trudi dhe Frieda.

Por, në kategorinë më të lehtë, për qentë me peshë deri në 5 kilogramë, fitues ishte qeni me emrin më të gjatë: “Giulietta Beretta vom Rothsee aka Bazooka”, i cili e përfundoi garën për 6,14 sekonda.