Sipas Akademisë së Shkencave, vepra e tij më e njohur, “Albanesische Studien” (“Studime shqiptare”), e botuar në vitin 1854, konsiderohet një gur themeli i albanologjisë, pasi për herë të parë paraqiti në mënyrë të argumentuar tezat mbi autoktoninë e shqiptarëve, prejardhjen e tyre ilire dhe përkatësinë e gjuhës shqipe në familjen indoevropiane.
Akademia vlerëson gjithashtu kontributin e Hahn-it në hartimin e fjalorit shqip-gjermanisht, të përfshirë në vëllimin e tretë të “Albanesische Studien”, i cili përmban 6 216 fjalë të gjuhës shqipe dhe dokumenton leksikun e gjysmës së parë të shekullit XIX. Ky fjalor mbetet një burim me rëndësi të veçantë për studimet dialektologjike dhe etimologjike.
Gjatë shërbimit si nënkonsull i Austrisë në Janinë, Hahn bashkëpunoi me intelektualë shqiptarë, mes tyre Kostandin Kristoforidhi dhe Apostol Meksi, ndërsa dokumentoi edhe alfabetin e vjetër të Dhaskal Todrit në Elbasan.
Sipas Akademisë së Shkencave, kontributet shkencore të Johann Georg von Hahn u shfrytëzuan më pas nga ideologët e Rilindjes Kombëtare në mbështetje të vetëdijesimit kombëtar dhe argumentimit të së drejtës historike të shqiptarëve për shtet të pavarur. Profesor Eqrem Çabej e ka vlerësuar Hahn-in si themeluesin e albanologjisë në kuptimin e mirëfilltë shkencor të fjalës.





