Treguesit e shitjeve dhe punësimit të biznesit vijuan rritjen gjatë vitit 2023 për shumicën e sektorëve të ekonomisë.

INSTAT publikoi sot të dhënat nga “Anketa strukturore pranë ndërmarrjeve”, ku ofrohet informacion mbi strukturën ekonomike, financiare dhe karakteristikat kryesore të ndërmarrjeve të regjistruara në Regjistrin Statistikor të Ndërmarrjeve dhe aktive në sektorët ku ato operojnë, në periudhën referuese janar-dhjetor 2023.

Referuar raportit, në vitin 2023 ishin 117 292 ndërmarrje ekonomike aktive në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, duke shënuar një rritje me 3,4%, krahasuar me vitin 2022.

Ndërmarrjet që ushtrojnë aktivitet tregtar zunë përqindjen më të lartë të numrit të ndërmarrjeve, me 35,7%.

Numri i të punësuarve gjithsej në vitin 2023 ishte 559 922, duke u rritur me 2,2 %, krahasuar me vitin 2022.

Prodhuesit e shërbimeve që ushtrojnë aktivitetin e tyre në sektorët tregti, akomodim dhe shërbim ushqimor, transport dhe komunikacion dhe shërbime të tjera zënë 65,2% të numrit të të punësuarve gjithsej.

Prodhuesit e të mirave që ushtrojnë aktivitetin e tyre në sektorët: industri nxjerrëse, industri përpunuese, energji, ujë, trajtimi i mbetjeve dhe sektorin e ndërtimit, zënë 34,8%.

Shitjet neto në vitin 2023 arritën vlerën 3,381 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 0,7% ndaj vitit 2022.

Prodhuesit e shërbimeve zënë pjesën më të madhe të shitjeve neto të realizuara, duke përbërë 67,5% të shitjeve neto gjithsej.