Inspektorati Kombëtar i Mbikëqyrjes së Territorit (IKMT) dhe Policia e Shtetit po vijojnë aksionin për prishjen e ndërtimeve të paligjshme, me fokus kryesisht zonat bregdetare. Kryeinspektori i IKMT-së, Ervin Hoxha ndoqi nga afër ndërhyrjen në plazhin e Lukovës, nga ku tha se ky territor është zaptuar dhe se ky plazh do të kthehet në gjendjen e mëparshme. “IKMT do vijojë në përmbushje të detyrave të veta, bashkë me Policinë e Shtetit aksionin në bregdet me qëllim pastrimin e menjëhershëm të plazheve të zaptuara.
Aksioni do të shtrihet deri në vijën fundore bregdetare, me ndëshkime e penalitete për personat dhe subjektet që zaptojnë plazhet”, deklaroi Hoxha. IKMT nuk do bëjë asnjë hap pas, shtoi kreu i IKMT, deri në kthimin e territorit në origjinë me plazhe e territor të pastër e të bukur. Në Lukovë do të shembet çdo objekt pa leje, e më pas aksioni do shtrihet në gjithë vijën bregdetare në vend.
