Ishte një herë një adoleshent nga Saluzzo (në provincën e Cuneos), i cili e adhuronte motorinon e tij Garelli Vip, shkruan rainews.it.
Ishte viti 1984 kur ky mjet iu vodh në Vado Ligure, vendi ku ai kishte kaluar fëmijërinë.
Sot, 42 vjet më vonë, motorinoja është gjetur dhe i është kthyer pronarit të saj, i cili mezi u besonte syve.
Ai tashmë është 58 vjeç.
Duket si historia e një filmi nostalgjik, por është një ngjarje e vërtetë që ka ndodhur në zonën e Torinos.
Karabinierët e Volpianos ndaluan një 64-vjeçar që po lëvizte me një ciklomotor pa targë.
Pasi kontrolluan numrin e shasisë, zbuluan se bëhej fjalë për një motorino të vjedhur më shumë se katër dekada më parë.
Hetimet konfirmuan se mjeti ishte ai që ishte denoncuar si i vjedhur në vitin 1984.
Pas gjithë këtyre viteve, karabinierët arritën të identifikonin dhe të kontaktonin pronarin e ligjshëm, i cili ndërkohë ishte zhvendosur dhe kishte ndërtuar jetën e tij diku tjetër.
Për habinë e tij të madhe, ai mori lajmin se motorinoja e rinisë së tij ishte gjetur. Mjeti u sekuestrua dhe, pas procedurave të nevojshme, iu rikthye pronarit të tij të vërtetë.
Një fund i lumtur për një histori që dukej se ishte mbyllur përgjithmonë 42 vjet më parë.





