Shqipëria, perla e Ballkanit

E vendosur në zemër të Ballkanit, përballë brigjeve italiane dhe në kufi me Greqinë, Shqipëria po fiton gjithnjë e më shumë popullaritet, falë bregdetit të saj spektakolar në detet Adriatik dhe Jon.

Me shtimin e fluturimeve direkte drejt Tiranës dhe lidhjet detare nga ishulli grek i Korfuzit, vendi po bëhet më i aksesueshëm se kurrë, për turistët evropianë.

Nga Rivieria Shqiptare me ujërat e kristalta deri te qytetet historike me trashëgimi të pasur kulturore, Shqipëria ofron një kombinim unik të natyrës, historisë dhe mikpritjes.

Plazhet e Ksamilit, të krahasuara shpesh me destinacionet më të bukura të Mesdheut, tërheqin vizitorë nga e gjithë bota, ndërsa qyteti i Beratit, pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s, dhe Syri i Kaltër mbeten ndër atraksionet më të vizituara të vendit.

Pushime me kosto të ulët

Një nga avantazhet më të mëdha të Shqipërisë, mbetet kostoja e ulët e jetesës dhe e shërbimeve turistike.

Sipas medieve franceze, një kafe mund të kushtojë rreth 50 centë, birra vendase më pak se 3 euro, ndërsa akomodimi në bujtina tradicionale mund të fillojë nga 25 euro nata.

Edhe gastronomia lokale konsiderohet një tjetër pikë e fortë, pasi turistët mund të shijojnë peshk të freskët, prodhime deti dhe specialitete tradicionale shqiptare, me çmime dukshëm më të ulëta krahasuar me destinacionet e tjera mesdhetare.

Një destinacion që po zbulohet nga bota

Pavarësisht zhvillimit të shpejtë të sektorit turistik, Shqipëria vazhdon të ruajë autenticitetin dhe karakterin e saj të veçantë.

Megjithatë, ekspertët e turizmit vlerësojnë se popullariteti në rritje dhe investimet e reja në infrastrukturë, do ta transformojnë ndjeshëm vendin në vitet e ardhshme.

Për këtë arsye, shumë media evropiane e konsiderojnë Shqipërinë, si një nga “sekretet e fundit” të Mesdheut, duke rekomanduar muajt qershor dhe shtator, si periudhat më të mira për të shijuar plazhet, natyrën dhe mikpritjen shqiptare larg fluksit të madh turistik të pikut të sezonit